Franca kundër monedhës së Facebook

Franca kundër monedhës së Facebook

17:50 14/09/2019

Le Maire: Cënon sovranitetin tonë monetar

Libra, projekti ambicioz i Facebook për të hedhur në treg monedhën kriptografike përballet me armikun e parë, Francën.

Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, kërkon pengimin e zhvillimit të saj në Europë, në mbrojtje të ekonomisë së vendeve të Bllokut.

“Në kushtet aktuale ne duhet të refuzojmë zhvillimin e Libra-s në Europë. Kemi shqetësime të mëdha për Libra-n. Në lojë është sovraniteti ynë monetar. Ne mendojmë se çështja e monedhës duhet të qëndrojë në duar të vendeve anëtarë në mbrojtje të sovranitetit”.

2 miliardë përdoruesit e Facebook do të përbënin një rrezik të madh për stabilitetin e Europës, nëse kriptomonedha do të shkonte në kolaps, tha ministri francez.

Gjiganti teknologjik i Mark Zuckerberg njoftoi në muajin Qershor hedhjen në treg të monedhës dixhitale, për t’u mundësuar klientëve të tij të bëjnë pagesa online dhe të dërgojnë para përmes Libra-s.

Pengimi i monedhës së Facebook nga Franca dhe me gjasë vendet e tjera europiane, pritet të përplasë sërish Europën me Shtetet e Bashkuara në një kohë kur presidenti Donald Trump ka akuzuar BE se zhvillon tregti të pandershme ndaj Washingtonit.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT