Pa pritur konsensusin brenda Bashkimit Europian, Franca u ka shpallur “luftë tregtare” gjigandëve teknologjikë, veçanërisht atyre amerikanë. Google, Apple, Facebook dhe Amazon, dhe çdo ndërmarrje me xhiro mbi 25 milionë Euro në Francë, do të taksohen deri në 5% të shitjeve të tyre globale. Aktualisht këto kompani paguajnë rreth 9% për shitjet vetëm brenda territorit të Francës, kundrejt 23% të ndërmarrjeve vendase. Një zëdhënës i qeverisë franceze tha se bëhet fjalë thjesht për respektim rregullash.

“Është ajo çka presin francezët nga ne. Është pjesa e drejtë që duhet të paguajnë ndërmarrjet digjitale të cilat janë thelbësore për ekonominë e një vendi, por kur veprojmë në një vend të caktuar duhet t’i paguajmë taksat, ky është rregulli”.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Bruno Le Maire, e quajti taksimin për ndërmarrjet e huaja drejtësi fiskale. Taksa do të ketë fuqi prej 1 Janarit 2019 dhe pritet t’u sjellë arkave franceze rreth 500 milionë Euro në vit. Masa e re pritet të aplikohet edhe në vende të tjera të BE. Ndërsa ekspertët ekonomikë shprehen se ajo mund të provokojë zemërim të SHBA, në një kohë kur presidenti Trump e ka akuzuar shpesh Europën për padrejtësi në marrëdhëniet tregtare.

Tv Klan