Test për Presidentin Macron

Zgjedhjet rajonale që zhvillohen këtë të dielë në Francë janë një test për qeverisjen e Presidentit Macron para se ai të kërkojë një mandat të ri presidencial në Prill të vitit 2022.

Pas largimit përfundimtar nga politika evropiane të Kancelares gjermane Angela Merkel, është radha e Macron që të provojë sërish fuqinë e tij elektorale brenda vendit. Deri tani partia e Macron rezulton shumë e dobët në sondazhe dhe ka gjasa që të shkojë drejt dështimit. Në zgjedhjet rajonale të së dielës partitë e ekstremit të djathtë synojnë të arrijnë rezultatet e vitit 2015.

Në dy raundet zgjedhore që do të mbahen më 20 dhe 27 Qershor do të përcaktohen liderët e 13 rajoneve të Francës, që drejtohen aktualisht nga partitë e djathta, të qendrës dhe ato të majta. Sondazhet nxjerrin të favorizuar të djathtën ekstreme të Marine Le Pen në jug, në veri dhe në lindje të vendit.

Një fitore e mundshme e Le Pen në këto zona do të ishte hera e parë në historinë e partisë së saj dhe do të forconte besueshmërinë përpara zgjedhësve. Ka një numër të madh qytetarësh francezë që e konsiderojnë Le Pen një mbrojtëse më të mirë të vlerave të republikës sesa Emmanuel Macron.

Kandidatët e së djathtës ekstreme po mbështesin një platformë të bazuar tek siguria kombtare dhe emigrantët e paligjshëm që mund të sjellë një rritje të numrit të votuesve që mbështesin linjën e ashpër të Le Pen kundër kriminalitetit dhe emigracionit.

Tv Klan