U desh të bënte një akt heroik që të përfitonte statusin e azilantit. Florim Shehu, 33-vjeçari kosovar që rrezikoi jetën për të shpëtuar 6 pjesëtarë të dy familjeve franceze të bllokuara nga përmbytjet, është shpërblyer nga krerët e komunës Shonzhe në veriperëndim të Francës.

Autoritetet i dhanë atij shtetësinë franceze, të cilën e ëndërronte prej shtatorit të vitit 2017, kur mbërriti në Francë pasi ishte larguar nga Kosova për një jetë më të mirë në perëndim.

3 muaj më parë Florim Shehu hyri në shtëpitë e fqinjëve të tij, duke u ardhur në ndihmë për t’i nxjerrë prej andej, pasi shtëpitë u ishin përmbytur nga fryrja e lumit që kalonte pranë shtëpisë së tyre. Mediat franceze shkruajnë se ai nuk mori parasysh asgjë dhe kreu aktin human, që edhe vetë ekipet franceze të emergjencës e kishin të vështirë ta bënin.

33-vjeçari është i martuar dhe ka dy fëmijë. Gjesti i tij është krahasuar me atë të azilkërkuesit afrikan që hipi 4 kate duke u kacavjerrë në fasadën e një pallati për të shpëtuar një fëmijë që rrezikonte të binte nga ballkoni. Gjesti u vlerësua me medalje nga presidenti francez Emanuel Makron.

Tv Klan