Turizmi këtë vit me shumë gjasa ka për të përjetuar periudhën më të errët të tij për shkak të përhapjes së pandemisë Covid-19. Pjesa më e madhe e vendeve kanë nisur të planifikojnë sesi do të lëvrohet turizmi, por gjithnjë duke bërë një hapje graduale për të frenuar kështu përhapjen e mëtejshme të virusit.

Për këtë arsye Franca ka akorduar 18 miliardë euro në ndihmë këtij sektori që është goditur më rëndë nga pandemia. Kryeministri i vendit Eduard Philippe është shprehur se situata me të cilën po përballet turizmi është ndoshta një nga sfidat më të vështira të vendit.

“Me mbylljen e gati 95% të hoteleve synimi kryesor i qeverisë është që ta rimëkëmbë këtë sektor të rëndësishëm duke shpëtuar më shumë vende pune. Kryesorja është të rigjallërohen edhe bizneset që janë motorë të fuqishëm të ekonomisë”.

Izolimi për më shumë se dy muaj solli një mbyllje totale të rivierës franceze, atraksioneve turistike po ashtu të hoteleve, restoranteve etj.

Në bazë të planit të qeverisë të gjitha kompanitë që janë dëmtuar më rëndë nga vala e pandemisë do të kompensohen me 70% dhe kjo masë do të zgjasë deri në fund të Shtatorit. Po ashtu qeveria ka hartuar edhe një tjetër plan investimi prej gati 1.3 miliardë eurosh për të injektuar para në mënyrë direkte te bizneset nga bankat shtetërore. 

Nisma për turizmin parashikon gjithashtu përfitime të granteve prej 10 mijë eurosh deri në fund të vitit për bizneset që kanë më shumë se 20 punonjës dhe të ardhura vjetore prej 2 milionë eurosh. 

Një javë më parë presidenti i vendit Emmanuel Macron zgjati periudhën e emergjencës deri në datën 10 Korrik. Aktualisht Franca ndodhet në vend të gjashtë teksa numëron 179 mijë të prekur dhe 27 mijë vdekje.

Klan Plus