Parandalohet atentati në Avignon, plagoset roja i ambasadës në Arabinë Saudite

Franca u trondit këtë të enjte nga një seri sulmesh të radikalëve islamikë, si hakmarrje ndaj karikaturave të profetit Muhamed.

Më i rëndi është ai i Nice. Rreth orës 09:00 të mëngjesit, një i ri vrau me thikë 3 persona  dhe plagosi disa të tjerë brenda kishës Notre Dame të qytetit jugor francez. Duke bërtitur “Allahu Akhbar”, ai u preu kokat  një famulltareje të moshuar dhe rojes së kishës. Policia e arrestoi autorin pasi e plagosi.

“Nice ashtu si gjithë Franca po paguajnë çmim të lartë me viktima nga islamo-fashizmi. Këto të sotmet janë vdekje të tmerrshme me metoda si ato që u përdorën për vrasjen e mësuesit të nderuar Samuel Pati”.

Vendin e ngjarjes e vizitoi edhe Presidenti francez Emmanuel Macron. Ligjvënësit francezë rikthyen gjendjen e emergjencës nga sulmet terroriste, ndërsa mbajtën një minutë heshtje për viktimat. Dy orë pas ngjarjes së Nice, policia parandaloi një tjetër akt terrori në Avignon duke vrarë një person të armatosur me thikë që thërriste rrugëve po ashtu “Allahu Akhbar”. 

Mediat franceze thonë se një truprojë i konsullatës franceze në Xhedah të Arabisë Saudite u plagos nga një sulm me thika.

Qeveria turke dënoi sulmin më të fundit në Nice, por reagimet nga ky vend dhe në gjithë botën islame kanë qenë të ashpra, pasi presidenti francez Emmanuel Macron i konsideroi karikaturat e profetit Muhamed të publikuara në një shkollë franceze nga mësuesi i vrarë në mesin e këtij muaji si normale për një vend laik si Franca.

Macron ka paralajmëruar luftë të ashpër kundër atij që e quajti “separatizëm islamik”.

Tv Klan