avionetfrancezeNë më pak se 24 orë nga pas njoftimit të Presidentit Fransua Olond, avionët ushtarakë francezë kanë ndërmarrë sulmet e para ajrore në Irak.

Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate për mediat të shpërndarë nga Presidenca franceze.

Sipas deklaratës, avionët Rafal kryen sulmin e parë në orën 9.40 në verilindje të vendit.

Raketat shkatërruan një depo logjistike të terroristëve të organizatës Daesh, nëndegë e Shtetit Islmaik.

Në deklaratë nuk jepen detaje të hollësishme por premtohet shtimi i intensitetit të sulmeve gjatë ditëve në vijim.

Presidenti amerikan Barak Obama përshëndeti vendimin e Francës, si i pari vend që i bashkohet Shteteve të Bashkuara në sulmet ajrore në Irak.

Presidenti Obama foli edhe për aprovimin nga Senati të planit për nisjen e operacioneve trajnuese të ushtrisë amerikane për rebelët në Siri.

Plani ka një vlerë prej 500 mln dollarësh.

Amerikanët mesaduket nuk kanë pritur gjatë për nisjen e këtyre operacioneve.

Një e përditshme në arabisht që botohet në Londër shkruan se trajnimi ka nisur fillimisht në Deir al Zor dhe Raka dhe ka për qëllim të përgatisë rebelët pro-perëndimorë në betejat kundër militantëve të Shtetit Islamik, por edhe ushtrisë së Bashar al Asad.

Deri më tani, forcat e Asad kanë në zotërim 56% të territorit të vendit.

Pjesa tjetër, në 87% të saj është nën kontrollin e militantëve Suni.

Situata në Irak do të diskutohet edhe në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në një mbledhje të thirrur nga amerikanët, në nivel ministerial.

Tv Klan