Presidenti francez Emmanuel Macron mirëpriti homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Paris ku njoftoi edhe paketën më të madhe të ndihmës ushtarake për Ukrainën.
“Ne duhet të vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën. Unë mund të njoftoj sot 2 miliardë euro mbështetje shtesë ushtarake nga Franca. Kemi ofruar raketa antitank MILAN, mjete të mbrojtjes ajrore, si raketat MICA që janë të pajisura në avionët Mirage të cilët janë dorëzuar dhe raketa mbrojtëse tokë-ajër Mistral. Gjithashtu kemi avancuar në bashkëpunimin për sa i përket satelitëve dhe inteligjencës”, tha Presidenti i Francës.
Njoftimi erdhi gjatë një konference shtypi në Paris përpara një samiti ndërkombëtar mbi sigurinë afatgjatë të Ukrainës. Sipas liderit francez, forcimi i ushtrisë së Ukrainës është prioriteti kryesor, me vendosjen e mundshme të forcave paqeruajtëse prapa vijave të frontit . Këto forca mund të vendoseshin në “qytete strategjike” ose “baza”. Macron hodhi poshtë idenë e lehtësimit të sanksioneve ndaj Rusisë.
“Paqja nëpërmjet forcës nuk ka të bëjë me heqjen e sanksioneve. Heqja e tyre varet vetëm nga zgjedhja e Rusisë për të respektuar ligjin ndërkombëtar,” u shpreh Macron.
Ndërkaq Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy për një televizion francez u shpreh se SHBA duhet të ketë fuqi të mjaftueshme për të shtyrë Rusinë për një armëpushim të pakushtëzuar pasi Moska parashtroi kushte për ndalimin e sulmeve në Detin e Zi të ndërmjetësuara nga Uashingtoni.
“Shumica e amerikanëve na kanë mbështetur gjithmonë dhe unë u jam shumë mirënjohës atyre për këtë. Ne kemi pasur mbështetje dypartiake. Megjithatë, sot, shumë shpesh, besoj se shpesh është nën ndikimin e narrativës ruse, të cilën nuk mund ta pranojmë, por do të vazhdojmë të luftojmë kundër kësaj narrative”, tha presidenti ukrainas.
Ai gjithashtu sfidoi pikëpamjen e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff për fushën e betejës, duke thënë se Ukraina ishte ende duke luftuar kundër trupave ruse në Kursk. Ndërkaq në fushën e betejës, një sulm me dron rus në Dnipro të Ukrainës shkaktoi zjarre dhe plagosi tre persona. Dronët dëmtuan më shumë se 10 ndërtesa banimi, si dhe objekte arsimore dhe kulturore.
Gjithashtu edhe forcat ruse shënjestruan me dron Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës , duke plagosur nëntë persona dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Kryebashkiaku Ihor Terekhov tha se kishte pasur të paktën 12 sulme me dronë në qytet.
Klan News