Macron: E mundën virusin, por Europa duhet të nxjerrë mësime

Franca është bërë vendi i parë në Europë që ka shpallur fitoren ndaj koronavirusit. Një lajm të tillë e ka konfirmuar vetë kreu i Elizesë Emmanuel Macron duke u shprehur se Franca është më e pavarur nga pjesa tjetër e botës.

“Lufta ndaj Covid-19 ka treguar sesa mangësi dhe dobësi kemi. Tani Europa duhet të marrë një mësim nga kjo pandemi. Ka ardhur koha që të ndërtojmë një model më të fortë dhe të jemi të pavarur nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Sipas Macron, lufta ndaj virusit nuk dihet ende se kur do të përfundojë, por tani duhet që të ndërtohet një model i ri ekonomik, më i fortë. Qeveria franceze së fundmi ka akorduar fondin prej gati 500 miliardë euro, për të rigjallëruar ekonominë e cila ka pësuar një ulje me gati 11% qëkur pandemia u përhap.

Gjatë një fjalimi televiziv, Macron theksoi se vera e vitit 2020 do të jetë një verë ndryshe nga çdo tjetër dhe duhet që autoritetet të tregojnë më shumë vigjilencë për të ndaluar një shpërthim të dytë.

Edhe pse Franca ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme deri në datën 10 Korrik, duke filluar nga sot do të hapen të gjitha kafenetë, restorantet, një pjesë e madhe e bizneseve dhe hoteleve, si dhe do të lejohet udhëtimi në vendet e tjera të Evropës. Shkollat e ciklit të ulët, çerdhet dhe kopshtet do të rihapen në datën 22 Qershor.

Njerëzit do të jenë në gjendje të vizitojnë anëtarët e familjes, azilet, të cilat janë goditur veçanërisht shumë nga shpërthimi Covid-19.

Ky vendim ka ardhur teksa një numër shtetesh në Evropë kanë rihapur kufijtë e tyre në mes të bllokut evropian duke filluar nga sot. Lëvizja e lirë tanimë pritet të rigjallërojë sektorin e turizmit, i cili është goditur më rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Nga Islanda në Greqi, shumë vizitorë do të mund të udhëtojnë më lirshëm, e megjithatë shumë kufizime do të vazhdojnë të mbeten në fuqi. Republika Çeke do të ndalojë hyrjen e udhëtarëve nga ato vende që janë klasifikuar si të kuqe e portokalli, e po ashtu do të bëjë Portugalia dhe Suedia.

Spanja ka njoftuar se do t’i rihapë kufijtë duke filluar nga 21 Qershori, ndërsa Portugalia në datën 1 Korrik dhe në ishujt Baleare, turistët nuk duhet të karantinohen, pasi sezonin turistik do të hapet duke filluar nga sot.

Klan Plus