Franca, vatra e re e nxehtë e Covid-19 në Europë


Franca, vatra e re e nxehtë e Covid-19 në Europë

22:20 15/09/2020

Rekord prej rreth 5 mijë infektimesh ditore në Izrael

Franca mund të konsiderohet si vatra e re e nxehtë e koronavirusit në Europë. Shifrat e infektimeve ditore vijojnë të jenë të larta me mbi 6 mijë raste të shënuara gjatë 24 orëve të fundit.

Marseja dhe Bordoja janë qytetet me më shumë raste infektimesh, aty ku numri i të shtruarve po arrin kufirin maksimal të kapaciteteve. Autoritetet përcaktuan kufizime shtesë për grumbullimin e njerëzve. Jugu i Francës pati dyndje të turistëve europianë gjatë sezonit veror.

Kufizime të ngjashme janë vendosur edhe në Portugali, ku çdo ditë numërohen mbi 400 të infektuar të rinj. Autoritetet kanë ndaluar shitjen e alkoolit dhe grumbullimet festive pas orës 8 të darkës.

Infektimet ditore shënuan rekord në Izrael me mbi 4 700 raste të reja, shifra më e lartë që prej nisjes së pandemisë.

E teksa në të gjithë botën vijon sfida me kohën për nxjerrjen e një vaksine të sigurt kundër Covid-19, fondacioni Bill dhe Melinda Gates u bën thirrje qeverive të vendeve të pasura, të ndihmojnë shtetet e varfëra me doza të mjaftueshme për vaksinimin e popullsisë.

Një raport i këtij fondacioni tregon se miliona njerëz në mbarë botën e kanë të pamundur të sigurojnë një vaksinë. Raporti konstaton se pandemia i ka kthyer 20 vite pas ritmet e zhvillimit global.

Shifra e të prekurve në mbarë globin është pranë 30 milionëshit, teksa mbi 933 mijë prej tyre kanë humbur jetën.

Tv Klan




Të ngjashme