Rekorde infektimesh ditore në Gjermani dhe Itali

Shtetrrethim në Paris dhe 8 qytetet më të mëdha të Francës. Është kjo masa drastike e shpallur nga Presidenti Emanuel Macron mbrëmjen e së mërkurës në përpjekje për të frenuar ritmet e shpejta të valës së dytë të infektimeve të COVID-19.

“Nuk e kemi humbur kontrollin. Jemi në një situatë që është shqetësuese, por kjo s’do të thotë se duhet të na përfshijë paniku”.

Shtetrrethimi do të qëndrojë në fuqi për 6 javë në varësi të ritmeve të infektimit. Qytetarëve nuk u lejohet të dalin pas orës 22:00 të natës deri në 06:00 të mëngjesit. Kush shkel rregullin gjobitet me 135 Euro.

Franca ashtu si edhe vende të tjera europiane po përballet me dyndje të papërballueshme në spitale. 24-orëshi i fundit shënoi shifrën e dytë më të lartë të infektimeve ditore me mbi 22 mijë raste.

Rekorde ditore që thyen ato të valës së parë shënoi edhe Italia me mbi 7 mijë infektime të reja. Pavarësisht vendosjes së masave më të ashpra kundër përhapjes që pas heqjes së karantinës kombëtare në Maj, Kryeministri italian Giuseppe Conte nuk përjashtoi mundësinë e rikthimit të saj nëse shifrat e infektimeve do të vijojnë të jenë të larta. Shifra e dytë më e lartë e infektimeve ditore që prej nisjes së pandemisë u shënua edhe në Britaninë e Madhe.

Ky 24-orësh shënoi shifrën më të lartë të infektimeve për valën e dytë Gjermani, ku edhe atje autoritetet parashikojnë ashpërsimin e masave kundër përhapjes. Problematike situata është thuajse në gjithë kontinentin.

Tv Klan