Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, Njomza Emini, priti sot në takim ambasadoren e Francës në Kosovë, Maryse Daviet, me të cilën diskutoi për bashkëpunimin midis dy vendeve dhe agjendën evropiane të Kosovës.
Gjatë këtij takimi, diplomatja franceze konfirmoi mbështetjen e shtetit francez për Kosovën edhe në të ardhmen, si ne aspekte zhvillimore, ashtu edhe në agjendën euro-atlantike të vendit tonë.
Ndërkaq, kryetarja e komisionit, Njomza Emini e njohu diplomaten franceze me punën dhe angazhimet e komisionit që ajo drejton, si dhe me sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova në procesin e integrimit evropian të saj.
Ajo falënderoi shtetin mik të Francës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, në kohë dhe rrethana të ndryshme, duke shtruar nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen./tvklan.al