Europianët hodhën një hap para në mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe në Samitin e tretë në Paris vendosën të dërgojnë shefat ushtarakë në Ukrainë për të zhvilluar plane “operative” për zbatimin e çdo marrëveshjeje të ardhshme armëpushimi.

Presidenti Emmanuel Macron tha se Franca dhe Britania do të udhëheqin një kontingjent ushtarak të vendeve europiane, pavarësisht mungesës së unanimitet midis aleatëve për dërgimin e forcave në Ukrainë. Këtij koalicioni do t’i bashkohet edhe Gjermania.

“Dërgimi i forcave të sigurisë është një propozim franko-britanik, i dëshiruar nga Ukraina dhe i miratuar gjithashtu nga disa shtete anëtare që kanë sinjalizuar dëshirën e tyre për t’u bashkuar. Nuk ka unanimitet sot, kjo dihet, por ne nuk kemi nevojë për unanimitet për ta bërë këtë.”

Mikpritësi i samitit tha se aleatët ranë dakord të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe ushtrinë e saj, duke shtuar se nuk është koha për të hequr sanksionet ndaj Rusisë. Për këtë duket se ka konsensus të gjerë europian. Në shënjestër do të vihet flota ruse e anijeve cisterna që shesin naftë në shkelje të sanksioneve.

Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky u largua optimist nga samiti. Ai tha se Ukraina dëshiron të punojë me Uashingtonin dhe bëri thirrje që qëndrimi i SHBA-së ndaj Rusisë të jetë më i fortë.

“Padyshim, SHBA-ja është shumë e rëndësishme. Putini dëshiron të përçajë Europën dhe Amerikën dhe makineria e tij ka punuar në këtë drejtim për mbi një vit. Kemi nevojë që SHBA-ja të jetë më e fortë dhe të na ndihmojë të jemi në një pozicion më të fortë në negociata.”

Për çdo plan për të dislokuar trupa britanike në Ukrainë, vendimi do t’i takojë Parlamentit, tha Kryeministri Keir Starmer. Ai kërkoi gjithashtu që Rusisë t’i jepet një “afat” për t’u ulur në tryezën e bisedimeve dhe për t’u angazhuar për një paqe të qëndrueshme.

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni shpreson se do të ketë një delegacion amerikan herën tjetër për të diskutuar rreth Ukrainës.

Udhëheqësit europianë diskutuan gjithashtu planin për konfiskimin e 230 miliardë Euro të aseteve ruse që do të përdoren për rindërtimin e ardhshëm. Franca premtoi edhe 2 miliardë Euro ndihmë ushtarake.

Klan News