Zgjedhjet, test mbështetjeje për presidencialet 2022

Francezët votojnë këtë të diel për të zgjedhur drejtuesit e rinj të 13 rajoneve dhe 96 departamenteve. Rezultati shërben si tregues edhe për zgjedhjet presidenciale të Prillit të vitit të ardhshëm, ku gara më e fortë pritet të jetë sërish mes presidentit Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen.

Sondazhet tregojnë se kandidatët e Grupimit Kombëtar të Le Penit, pritet zgjerojnë hartën e njësive administrative të drejtuara prej tyre. Analistët thonë se ajo e ka ndryshuar linjën e saj politike, duke u zhvendosur nga e djathta radikale drejt qendrës. Objektiv i saj gjatë fushatës ka qenë që t’u fitojë zemrën kryesisht mbështetësve të teorive konspirative, të cilëve pandemia ua ka ushqyer shumë komplotet.

Garën më të ashpër, nacionalistët e kanë me Republikanët të cilët parashikohen të renditen të dytët në shkallë kombëtare. Pjesëmarrja parashikohet të jetë më e ulët se zgjedhjet 2015-ës. Rol përcaktues pritet të kenë të pavendosurit, të cilët përbëjnë rreth 60% të personave me të drejtë vote. Fituesit në shumë prej njësive mund t’i përcaktojë raundi i balotazhit më 27 Qershor, në zonat ku asnjë nga kandidatët nuk merr mbi 50%.  

Tv Klan