Drejtori i Televizionit Klan, Aleksandër Frangaj në studion e “Opinion” tha se gjatë muajit Shkurt dhe Mars Televizioni Klan ka bërë dy sondazhe në të cilat rezultati i zgjedhjeve të 25 Prillit është ‘kokë më kokë’. Sipas Frangajt, nga këto sondazhe rezultonte se kryetari i PS, Edi Rama kishte shumë më shumë pëlqyeshmëri në publik sesa ai demokrat. Kjo sipas tij është edhe arsyeja përse sot kemi këto rezultate nga zgjedhjet, që nxjerrin fituese Partinë Socialiste.  

Aleksandër Frangaj: Partia Demokratike në këto zgjedhje nuk e mundte dot Partinë Socialiste.

Blendi Fevziu: Përse nuk e mundte?

Aleksandër Frangaj: Televizioni Klan ka bërë vetë 2 sondazhe në Shkurt dhe Mars, dhe në të dy sondazhet që ne kemi bërë është ky rezultat, kokë më kokë. Kompania Trafalgar, kompania amerikane që ne e kontraktuam, nuk e bëmë publik sondazhin…

Blendi Fevziu: Vetëm ka një problem, sondazhi mat situatën. Unë nuk pyes si ishte situata. Them teorikisht, përse nuk e mundte dot?

Aleksandër Frangaj: Përse ta përmenda sondazhin? Ta përmenda sondazhin sepse ti je dëshmitar, sepse ti je dhe bashkautor i porosisë tek kjo kompani, për të thënë që të gjitha këto që fliten, bëri këtë apo atë, që përmendi Shkullaku apo shumë të tjerë, nuk qëndrojnë, duhet të flasim hapur, pavarësisht se duam të mbrojmë një palë apo një tjetër, jemi gazetarë apo analistë.

Blendi Fevziu: Pse nuk e mundka dot teorikisht?

Aleksandër Frangaj: E para, zgjedhjet i ka fituar PS. PS nuk mundet sepse, ta përmenda sondazhin jo pa qëllim. Në sondazh ti Fevzi e di shumë mirë dhe Shkullaku e di shumë mirë, që kryetari i PS, Edi Rama është disa pikë, shumë pikë mbi kryetarin e Partisë Demokratike, si pëlqyeshmëri publike. E pranojmë. Atëherë si mundet një kryetar i opozitës që e ka pëlqyeshmërinë personale, individuale më të ulët se kryetari i mazhorancës… Nëse ti je më pak i pëlqyer nga publiku shqiptar, si do ta mundësh atë që është më i pëlqyer, normalisht do të marrësh më shumë vota. Nëse shqiptarët preferojnë kandidatin X, atë do të votojnë./tvklan.al