Partia Fryma e Re Demokratike, i është drejtuar me një letër Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi dhe ambasadave të SHBA, BE dhe OSBE lidhur me incidentin e disa ditëve më parë në selinë e saj kur Policia Bashkiake shkoi për të liruar zyrat.

FRD shpreh kundërshtinë me veprimet e kryera nga autoritetet ndërsa thotë se vetë ka zbatuar ligjin. Po ashtu, FRD shkruan se do t’i drejtohet Gjykatës Administrative dhe shprehet se ndërhyrja në seli cënon të drejtat kushtetuese.

“Partitë parlamentare pajisen me ndërtesë për selinë e tyre qendrore dhe zyra vendore. Këtë të drejtë e ka edhe partia politike, mesatarja e votave të së cilës në tri zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë mbi 1 për qind në shkallë vendi. Nëse partia politike është pajisur me ndërtesë me kontratë huapërdorjeje sipas këtij ligji, por nuk plotëson kushtet e parashikuara në shkronjën “b” të këtij neni, atëherë ka të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë për ndërtesën, për ta përdorur vetëm për selinë apo zyrat e saj vendore. Pika 2 e nenit 22/1 thotë: Kontrata e huapërdorjes ose pagimi i qirasë, sipas këtij neni, për partitë politike zgjat për aq kohë sa partia politike plotëson kushtet e parashikuara në shkonjën “b” të nenit 22. Për këtë arsye i jemi drejtuar Gjykatës Administrative të shkallës së parë Tiranë e cila në datën 23.03.2021 ora 09:45 do të zhvillojë seancën gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës tonë për “Sigurim padie”. Të ndodhur në këto kushte, sjellim në vëmendjen tuaj se ndërhyrja me forcë do të sillte cënimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të sipërcituar të subjektit politik duke mohuar ekzistencën dhe ushtrimin e veprimtarisë politike”, thuhej në letër./tvklan.al