Freedom House: Ka përparim në të drejtat civile

Pavarësisht se Shqipëria rezulton të ketë bërë hapa para në fushën e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, sërish mbetet një vend pjesërisht i lirë.

Organizata “Freedom House” e vlerëson vendin tonë për vitin 2023 me 68 pikë nga 100 në total.

Në krahasim me vitin paraardhës në raportin mbi ‘Lirinë në Botë’, Shqipëria ka përparuar me 1 pikë.

Sipas raportit paraprak të organizatës me qendër në Uashington, liritë civile në Shqipëri kanë ardhur në përmirësim, ndërsa të drejtat politike kanë mbetur në vendnumëro.

Në këtë analizë, vlerësimi i përgjithshëm për Kosovën është me 60 pikë, aq sa kishte në vitin paraardhës.

Nga vendet pjesërisht të lira të Ballkanit, vërehet se përkeqësimin më të madh e ka njohur Serbia me një rënie prej 3 pikësh.

Në mesin e rreth 200 vendeve, Finlanda është në krye të listës, si i vetmi shtet që ka marrë 100 pikë, duke u cilësuar kështu krejtësisht i lirë.

Për vitin 2023 liria globale ka rënë për të 18-n vit radhazi, duke prekur një të pestën e popullsisë së botës.

Tv Klan