“Shkak, kriza politike që preku institucionet”

Organizata “Freedom House” publikoi të plotë raportin për nivelin e demokracisë në Shqipëri ku thuhet se pati një rënie gjatë vitit 2019. Kjo organizatë me qendër në Uashington vazhdon ta cilësojë Shqipërinë si “regjim në tranzicion ose hibrid”.

Në një vlerësim ku 1-shi është nota më e ulët dhe 7-a më e larta, Shqipëria shënoi rënie nga 3.50 një vit më parë në 3.25 në fushën e qeverisjes demokratike, për shkak të një sërë krizash që prekën institucionet, duke përfshirë dorëheqjen në bllok të opozitës parlamentare, procedurës për shkarkimin e Presidentit dhe përplasjes mes gjykatave dhe parlamentit. Sa u takon zgjedhjeve Shqipëria ra nga 4.50 në 4.25 pikë, për shkak të bllokimit të Reformës Zgjedhore dhe konfliktit politik lidhur me zgjedhjet vendore.

Korrupsioni mbetet shqetësues teksa thuhet se arritjet modeste në luftën kundër korrupsionit të vogël mbetën në hije për shkak të shqetësimeve serioze për pandëshkueshmërinë. “Në vitin 2019 u shtuan po ashtu shqetësimet për korrupsionin e madh dhe kapjen e shtetit”, thuhet në raportin që nënvizon se “pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë vazhdoi të ishte problem”.

Raporti thotë se Reforma në Drejtësi përparoi gradualisht në 2019-n me zgjedhjen e anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese nga Presidenti dhe Parlamenti, zgjedhja e një Prokurori të Përgjithshëm nga Parlamenti, emërimi i 8 prokurorëve në SPAK, përgatitjet për krijimin e BKH-së dhe vetingut.

“Sidoqoftë, Gjykata Kushtetuese dhe e Larta mbetën jofunksionale si rezultat i trupave të paplotësuara dhe mungesës së një kuorumit”, thotë raporti. Freedom House thotë se 2019-a ishte sfidë për mediat e pavarura, të cilat u vunë nën kërcënim si nga një paketë ligjore kundër shpifjes e miratuar nga Parlamenti si dhe nga goditjet e qeverisë për median online.

Në raport shkruhet se Bashkimi Evropian shtyu 2 herë vendimin për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke minuar besueshmërinë e tij dhe duke rrezikuar seriozisht arritjet e reformave në të dyja vendet.

Tv Klan