Raporti për vitin 2020, arsye shembja e Teatrit e vrasja e Klodian Rashës

Bota ishte më pak e lirë gjatë vitit 2020 dhe aktorët autoritarë u bënë më të guximshëm. Ky është përfundimi i Freedom House në raportin e fundit Liria në Botë, ndërsa nënvizon se demokracitë më të mëdha të botës u ndeshën me probleme të brendshme, duke sjellë si rezultat një rënie për të 15-in vit me radhë në indeksin e lirive.

Sipas raportit, Shqipëria ra me një pikë, ndërsa Kosova me dy pikë. Përjashtim bëri Maqedonia e Veriut, që konsiderohet një nga historitë e suksesit pasi u rrit ne tri pikë krahasuar nga një vit më parë.

Sipas raportit të Freedom House, Ballkani është mes rajoneve që kanë pësuar rënie, por ka shënuar edhe disa përparime. Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të mbeten pjesërisht të lira, dhe kanë pësuar një rënie prej një pike dhe dy pikësh respektivisht.

Shqipëria nga 67 pikë vitin e kaluar, ka 66 pikë këtë vit me një pikë rënie në kategorinë e të drejtave të grumbullimit dhe organizimit, lidhur me dy ngjarje.

“Ne pamë rënie në kategorinë e lirisë e tubimit, për shkak të dhunës ndaj protestuesve nga forcat e sigurisë në maj, gjatë shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Një tjetër arsye shqetësuese ishte vrasja në dhjetor nga policia e një të riu që shkeli orën policore. Këto sollën rënien në kategorinë e lirisë së tubimit”, tha bashkëautorja e raportit Amy Slipowitz.

Kosova pësoi një rënie prej dy pikësh gjithsej nga 56 në 54, që u atribuohen rënieve në kategoritë e procesit elektoral dhe pluralizmit politik.

“Kjo lidhet me votimin e qeverisë së kryeministrit Hoti nga një shumicë e thjeshtë vetëm me një votë diferencë të një deputeti që kishte qenë i dënuar”, thotë Slipowitz, bashkëautore e raportit dhe menaxhere për kërkimet në Freedom House.

Parregullsia e këtij procesi solli rënie.

“Kosova shënoi rënie në kategorinë për opozitën për shkak se garda e vjetër politike orkestroi rënien e qeverisë së Albin Kurtit dhe partisë së tij Lëvizja Vetëvendosje”, tha Slipowitz.

Megjithë rënien e rajonit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rritje, madje me 3 pikë më shumë se vitin e kaluar Maqedonia e Veriut është një nga vendet e përmendura për rritje të konsiderueshme në raport.

“Qeveria reformiste e Maqedonisë së Veriut u rizgjodh në mënyrë demokratike dhe institucionet funksionuan, duke e rimarrë veten nga dëmet e shkaktuara nga ish-kryeministri, Nikola Gruevski”, thuhet në raport.

2020-a ishte një vit ku pandemia e koronavirusit mbizotëroi në botë jo vetëm si krizë shëndetësore dhe Shtetet e Bashkuara pësuan një rënie të konsiderueshme në nivelin e demokracisë. Freedoom House thotë se pasojat ndjehen në gjithë botën.

Klan News