Katalanasit mposhtin Alaves dhe afrohen me zonën Champions League

Barcelona ka lënë pas humbjen në Superkupën e Spanjës dhe eliminim nga Kupa e Mbretit, teksa ka regjistruar fitoren e 9-të në kampionat. Katalanasit vuajtën në transfertën e Alaves, ndaj të cilëve triumfuan minimalisht me shifrat 1-0. Dominimi i skuadrës së Xavi ishte i dukshëm në fushën e lojës, por jo në rezultat, me Torres me shokë që nuk ishin konkretë para portës.

Ndryshimet në pjesën e dytë nuk dhuruan shumë raste, teksa duhej të vinte minuta e 87-të që të vulosej fati i saj. Pedri gjen të lirë Torres në zonë, i cili shërben për De Jong dhe holandezi e ka fare të thjeshtë për ta depozituar topin në rrjetë. Një gol që vlen shumë për Barcelonën që nuk humbet prej 6 takimesh në kampionat. Katalanasit gjenden në vendin e 5-të me 35 pikë, teksa Alavess pozicionohet e parafundit me 17 pikë.

Klan News