Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

8-vjetori eurosocialist përveç anës zyrtare ka patur edhe atë festive. Krerët më të lartë të qeverisë dhe Partisë Socialiste kanë hedhur tej zyrtarizmat dhe kanë festuar, madje edhe kanë kërcyer me pasardhësit e tyre. Kryeministri Ilir Meta por edhe kreu socialist Fatos Nano kanë qënë në qendër të të rinjve, kësaj here jo për të majtur fjalime por për të kërcyer bashkë me ta. Për kryeministrin dhe kreun e FRESH-it Ilir Meta, stafeta e drejtimit të forumit duket se do të jetë në duar të sigurta. 

Ilir Meta:- “FRESH-i ka qënë dhe mbetet një faktor i rëndësishëm politik jo vetëm për PS por edhe për ndryshimet e reformat e mëdha demokratike në vend. Gjithashtu ne kërkojmë të sigurojmë besimin për të rinjtë në shqipëri si e ardhmja e vendit. Ka ardhur momenti ti hapim të gjitha dyert e FRESH por edhe të PS-së për të gjithë të rinjtë, që FRESH të mbetet një forcë dinamike e aftë për ndryshime. Mendoj se viti 2000, vit i ripërtëritjes së FRESH-it, pasi ne që e kemi themeluar 8-vjet më parë edhe pse jemi të rinj nuk jemi dhe aq të rinj. Janë këta anëtarë të rinj nga shkollat e mesme, nga universitetet, të cilët i bashkohen FRESH-it çdo ditë. FRESH ka nevoje per nje kryetar me te ri se ekzistuesi. Prandaj viti 2000 do jetë edhe viti i një udhëheqje të re të FRESH-it”.

Ndërsa kryetari socialist Fatos Nano jo vetëm është optimist për ripërtëritjen e FRESH-it, por ndihet i ri në mes anëtarëve të tij.

Fatos Nano:- Vitet ikin jo vetëm tonat edhe të eurosocialistëve tashmë edhe ata kanë nevojë për ripërtëritje. Vitet ikin edhe për shqipërinë dhe nuk ka më kohë për të humbur. Unë e rimora këtë motiv, e kam thënë për herë të parë nga burgu dhe më pëlqen ashtu si dhe ndonjë i burgosur tjetër politikë, të them që ato janë vite që duhet ti zbres nga historia jonë politike. Prandaj ndihem i ri dhe kërkova nga bashkëmoshatarët e mi, që jo thjeshtë të kërkojnë të renë, por ta sjellin të renë dhe të luftojnë për ndryshim.

Ndërkohë dritat janë ulur, festa vazhdon dhe ne largohemi për ti lënë eurosocialistët në intimitetin e tyre./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego