7 vite më parë, kohë kur bujqësia shihej si një asistencë sociale, kur fermerët nuk arrinin të përthithnin fondet dhe shpenzonin kohë edhe kosto në dyer institucionesh, sot panorama e punës dhe mbështetjes së fermerit është ndryshe. Në një garë me kohën dhe me një vrull të madh të punës, nga AZHBR, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Bujqësisë, mbështetja që iu është dhënë fermerëve është më parë.

Në një takim të përbashkët mbi ekonominë në fokus në sektorin e bujqësisë, me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe Ministrin e Bujqësisë Bledi Cuçi, Drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca bëri me dije se nga viti 2013 deri më 2020 janë alokuar 110 milionë euro mbështetje për fermerë dhe agro-përpunues përmes mbështetjes direkte dhe me grante, ndërkohë që 7 vite më parë ky buxhet ishte vetëm 40 milionë euro.

“Në vitin 2013  fondet ne dispozicion kanë qenë në shifrën e 6.5 milionë euro në dispozicion, kjo ishte mbështetje direkte për fermerët e vegjël dhe kishte zero mbështetje për agropërpunuesit. ndërkohë që në vitin 2020 jemi në 27 milionë euro te alokuara. Në 2013 pagesa mesatare që përfitonte një fermer në mbështetje direkte ishte 115 mijë lekë, ndërkohë në 2020 mesatarisht një fermer përfiton 222 mijë lekë në mbështetje direkte. Buxheti për mbështetje direkte është pothuajse dyfishuar, ndërkohë që në 2013 nuk kishte asnjë lloj mbështetje për investime në asete fizike/agropërpunim, ndërsa në 2020 mbi 17 milionë Euro janë investime në ngritje kapacitetesh përpunuese me vlerë granti mesatare mbi 11,7 milionë lekë për subjekt”.

Drejtoresha Krifca bëri me dije risinë e formalizimit të procesit të aplikimit dhe krijimit të kushteve të favorshme të përfitimit në skemën kombëtare të mbështetjes.

“Ne kemi punuar fort që t’i lehtësojmë jetën fermerëve, ndaj në vitin 2018 sollëm aplikimin me zero dokumente. Në vitin 2020 i bëmë aplikimet online. Tanimë pas dy vitesh fermerët mund të aplikojnë online, vetëm me kartën e identitetit dhe NIPT-in e fermerit, duke shmangur konfuzionin, radhët, duke kursyer kohë dhe  kosto administrative shtesë. Kishim 20% më shumë aplikime nga viti pararendës. Vetëm nëpërmjet këtij faciliteti, fermeri kursen mbi 5,500 lekë të reja shpenzime për aplikim. Prej vitit 2019 në 20 qytete të Shqipërisë kemi krijuar 20 dritare shërbimi për fermerët të quajtura -agropika, të cilat ofrojnë shërbime, informacion, aplikime, akses në financë, mbështetje me ekstensionistë etj”.

Krifca bëri me dije gjithashtu se nga momenti i akreditimit të AZHBR përthithja e fondit nga IPARD ka qenë me rezultate të larta.  Mbështetje ka pasur edhe në sektorin e mjedisit ku AZHBR ka dhënë mbështetje së bashku me Bankën Botërore dhe Qeverinë Suedeze për përmirësimin e pyllëzimit dhe kullotave./tvklan.al