“Luftë tregu, produktet e kontaminuara u tërhoqën”

Përfaqësuesi i kompanisë “Frigo Food” që është importuesi ekskluziv i produkteve Wudy në Shqipëri ka zgjedhur të konsumojë publikisht salçiçet që përflitet se janë të kontaminura.

“Nëse dikush më akuzon se helmoj popullin është shumë e thjeshtë unë në prezencën tuaj do ta konsumoj produktin pa asnjë lloj problemi”, tha Meqemeja.

Me anë të një konference për mediat, Sokol Meqemeja ka sqaruar problemin që ka pasur një  prej loteve të produktit.

“Ka pasur probleme me pasterizatorin e produktit. Është lajmëruar Ministria e Bujqësisë italiane. Është bllokuar dhe nga ai establiment është raportuar në BE”.

Aktualisht edhe në tregun shqiptar nuk ka produkte Wudy pasi vete Frigo Food ka vendosur tërheqjen.

“Për të qetësuar njerëzit kemi filluar të tërheqim të gjithë produktin dhe të ndajmë produktin e kësaj fabrike dhe produktin e ri që vjen pastaj”.

Situatën e krijuar në 24 orët e fundit përfaqësuesi i Frigo Food e cilësoi luftë tregu.

“Nuk është vetëm luftë me produktin, por është edhe luftë tregtare. Jam i bindur që kjo është luftë tregtare”.

Kompania “Frigo Food” vijon të importojë produkte Wudy, nga stabilimente të certifikuar dhe brenda standardeve të Bashkimit Europian, të cilat do të jenë sërish në treg.

Tv Klan