Dërgon 100 tonë ndihma ushtarake në Ukrainë

Rreziku i një sulmi ushtarak rus në Ukrainë detyron ambasadën amerikane në Kiev të largojë stafin diplomatik nga Ukraina. Burime nga përfaqësia diplomatike e Uashingtonit në kryeqytetin ukrainas thanë për mediat ndërkombëtare se në fillim të javës së ardhshme do të nisë evakuimi i familjarëve të pjesëtarëve të trupës diplomatike.

Ambasada amerikane në Kiev nuk ka bërë asnjë koment për këto dyshime. Por në një postim në Twitter, zyrtarët e ambasadës njoftuan mbërritjen në Ukrainë të ndihmës së parë ushtarake amerikane. Bëhet fjalë për rreth 100 tonë ndihma në mjete vdekjeprurëse, siç përcaktohet në postim.

Sakaq, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken njoftoi autorizimin e dërgimin të ndihmave ushtarake amerikane edhe për vendet baltike, aleatët e NATO-s që rrezikohen të parët, nëse në një konflikt i mundshëm ushtarak në Ukrainë, përshkallëzohet përtej kufijve.

Ndërsa përmes një deklarate për shtyp, qeveria britanike thotë se agjentët rusë në Ukrainë po përpiqen të instalojnë një qeveri kukull që do të mbështesë Moskën. Qeveria kukull do të drejtohet nga ish-deputeti pro-rus Jevhen Murajev dhe për këtë plan, Moska po organizon të gjithë mbështetësit në Kiev. Megjithatë, ky plan është hedhur poshtë nga zyrtarët rusë.

Tv Klan