Banorët e zonave të tërmetit nuk pranojnë të kthehen në shtëpi

Ka pak vend për fjalë. Tek banorët e Durrësit, tmerri i përjetuar mëngjesin e 26 Nëntorit është ende i freskët dhe mesa duket do të mbetet gjatë në memorien e tyre.

Durrësin e lanë në gjendje kaotike dhe të boshatisur. Megjithatë ata ndihen mirë në Pogradec, aty ku janë strehuar pas shkatërrimit të banesave të tyre.

Mbi 270 qytetarë nga Durrësi janë strehuar në Pogradec nën kujdesin e Bashkisë.

Familja me 20 anëtarë e Arjan Beqirit është vendosur prej dy ditësh në një prej hoteleve tē Korçës. Janë ende të traumatizuar, sidomos fëmijët, që nuk duan të kthehen më në Durrës. 

Sa i përket kthimit në qytetin tashmë thuajse germadhë, qytetarët kanë ende frike dhe do presin stabilizimin e situatës.

Prej 27 Nëntorit, mbi 700 persona kanë gjetur strehë falas në hotelet dhe bujtinat e Korçës, Pogradecit dhe fshatrave turistikë si Dardhë dhe Voskopojë.

Por kjo situatë delicate, përveç solidaritetit ka treguar anën tjetër të medaljes. Disa pronarë hotelesh kanë rritur çmimet në mënyrë abuzive. Pas ankesave të qytetarëve, Bashkitë e Korçës dhe Pogradecit kanë ngritur grupe task-forcë për të ushtruar kontrolle në bizneset e hotelerisë.

Tv Klan