Frika për sulme ndaj forcave amerikane dhe indikacione të tjera shqetësuese nga Irani, ka bërë që Shtëpia e Bardhë të marrë vendim për të dërguar në Lindjen e Mesme aeroplanmbajtësen “Abraham Lincoln”. Një zyrtar amerikan ka thënë për “Reuters” në kushte anonimati se Pentagoni miratoi vendosjen e forcave amerikane në atë zonë.

John Bolton, këshilltar i Presidentit Trump për sigurinë amerikane, tha të dielën se aeroplanmbajtësja dhe një luftëanije janë pozicionuar në rajonin e Komandës Qëndrore të SHBA, një zonë që përfshin Lindjen e Mesme. Sipas tij, kjo masë u mor pas disa sinjalizimeve dhe paralajmërimeve që SHBA kishte marrë për sulme nga regjimi iranian.

Bolton u shpreh se SHBA do të dërgojë mesazh të qartë nëse do ketë sulm ndaj interesave të saj apo vendeve aleate.

“Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë luftë me regjimin iranian, por ne jemi plotësisht të përgatitur për t’iu përgjigjur çdo sulmi të trupave të Gardës Revolucionare Islamike apo forcave të tjera iraniane”

, tha këshilltari Bolton.

Aeroplanmbajtësja “Abraham Lincoln” dhe luftëanije të tjera amerikane kanë qenë javën e kaluar në Detin Mesdhe. Të mërkurën kjo aeroplanmbajtëse u vizitua edhe nga disa zyrtarë të qeverisë shqiptare, teksa “Abraham Lincoln” po lundronte në Adriatik.

/tvklan.al