Brukseli i ka kthyer sytë nga Roma këtë javë, teksa të dielën italianët votojnë për ata që do të qeverisin vendin në 4 vitet e ardhshme. Gjasat janë që e djathta e ish-kryeministrit Silvio Berluskonit të rikthehet në pushtet. Por meqë kavalieri është i dënuar të qëndrojë jashtë posteve publike deri në vitin 2019, aleati i tij nacionalist i Lega Nordit Mateo Salvini mund të jetë kryeministri i ardhshëm i Italisë.

Sondazhet i japin qendrës së djathtë 35-39% të votave, Lëvizja Pesë Yjet 28 deri 30%, ndërsa e majta kuptohet në 27%

Opinioni publik vendas dhe partnerët europianë shohin rigjallërimin e të djathtës radikale dhe ringjalljen e fashizmit, veçanërisht për shkak të planit të Salvinit për politika më të ashpra ndaj emigrantëve.

Edhe vetë neo-fashistët e CasaPoundit premtuan se do të mbështesnin një kryeministër si ai, pavarësisht se ata vetë nuk kanë mbështetje as për të hyrë në parlament. Por Mateo Salvini, në tubimet e fundit elektorale është  distancuar nga profili politik radikal. Ndërsa fokusi i fushatës së tij është lufta kundër korrupsionit, mafies, varfërisë ku e kanë futur masat anti-krizë të imponuara nga Berlini  dhe mbi të gjitha rikthimi i dinjitetit të italianëve.

Edhe vetë Berluskoni, që synon të zgjidhet president në 2022 nga vota popullore duke propozuar ndryshime kushtetuese nuk ka besim tek Salvini kryeministër. Dhe meqë e djathta pritet të mos i ketë votat për formimin e qeverisë, ai sheh tek kryeparlamentari europian Antionio Tajani, figurën që do të tërheqë vota të tjera parlamentare për tu zgjedhur kryeministër.

Tv Klan