A do të çojë në një valë të dytë lehtësimi i karantinës? Është ky në fakt një prej shqetësimeve më të mëdha të ekspertëve. Në një kohë që shumë shtete po i heqin disa masa, ata i frikësohen shtimit të rasteve. Por ku mund ta shohim shembullin më të mirë?

Koreja e Jugut konsiderohet si një nga vendet që ka kryer një luftë me sukses ndaj Covid-19. Megjithatë një rritje e lehtë e rasteve të reja atje ka bërë që të mbyllen bare dhe klube rreth kryeqytetit.

Kjo ka rritur në fakt frikën e një vale të dytë në vend për shkak të heqjes së karantinës. Koreja e Jugut raportoi 34 raste të reja me Covid-19 të dielën, numri më i lartë në rritje për një muaj, duke e çuar numrin total të infektimeve në 10 784.

Rastet e reja lidhen me një 29-vjeçar, i cili kishte festuar në një prej zonave më të populluara të Seoul-it të premten mbrëma. Tashmë autoritetet janë duke gjurmuar dhe testuar rreth 1 510 persona që kanë vizituar të njëjtat vende si i riu.

Ndërkohë Presidenti Moon Jae-in u bëri thirrje qytetarëve të tij për vigjilencë. “Nuk ka mbaruar derisa të mbarojë me të vërtetë”, tha ai./tvklan.al