Numri i të prekurve vijon të rritet

Organizata Botërore e Shëndetësisë ngre alarmin se bota duhet të përgatitet për një pandemi nga koronavirusi. Edhe pse është shumë herët për ta quajtur pandemi, shkruan BBC, duke iu referuar OBSH-së, vendet duhet të jenë të përgatitur.

Kina, Koreja e Jugut, Italia dhe Irani po luftojnë për ta mbajtur atë nën kontroll, por numri i të prekurve vijon të rritet. Pandemia shpallet kur një sëmundje infektive rrezikon të përhapet njëkohësisht në vende të ndryshme të botës.

BBC, duke cituar ekspertë të shëndetësisë, shkruan se rastet në Korenë e Jugut, Iran dhe Itali flasin për një fazë fillestare të saj. Përhapja e virusit në këto vende nuk ka lidhje me Kinën dhe kjo e bën situatën shqetësuese.

Të hënën, Afganistani, Kuvajti dhe Bahreini raportuan rastet e para, të gjithë njerëz që ishin kthyer nga Irani, një vend qe numëron 12 viktima. Shefi i Organizatës Botërorë të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Gebrejezus paralajmëroi se mundësia për ta mbajtur të izoluar virusin po zvogëlohet.

Shpresat janë tek moti. Rritja e temperaturave zvogëlon jetëgjatësinë e virusit në ajër, pasi deri tani nuk ka asnjë vaksinë efikase kundër tij.

Rreth 77 mijë persona janë infektuar në Kinë dhe 2600 kanë vdekur. Më shumë se 1 2000 raste janë konfirmuar në 26 vende të tjera, ku ka pasur mbi 20 viktima.  

Raporti i vdekjeve nga koronavirusi është mes 1 dhe 2 përqind, por Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se nuk ka ende përllogaritje të sakta.

Tv Klan