Rekord viktimash ditore në Brazil

Kina rrezikon të përballet me një valë të re infektimesh brenda vendit. Autoritetet konstatuan 7 raste të reja të infektuarish, mes të cilëve 6 në rajonin veri-lindor të Xhilinit dhe 1 në Shangai. Ato i shtohen rasteve të reja të infektimit të konstatuara të martën në Wuhan.

Edhe pse vatra e parë e pandemisë globale, Kina renditet tashmë e 11-a në shkallë globale për nga numri i të prekurve që prej fillimit të përhapjes së COVID-19.

Brazili shënoi shifër rekord prej 881 viktimash ditore. Ky vend po shfaq ritme të shpejta të përhapjes së infeksionit dhe tashmë ka më shumë të prekur se Gjermania, mbi 178 mijë.

Mbi 10 mijë të infektuar të tjerë u shënuan këtë 24 orësh në Rusi, i njëjti ritëm prej më shumë se një jave, çka tregon se ky vend ende nuk e ka kaluar kulmin e pandemisë.

Ky vend renditet i treti në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës për nga numri i të prekurve. Ndërsa Spanja dhe Italia vijojnë të shënojnë më pak se 200 viktima ditore, një shifër e ulët krahasuar me kulmin e pandemisë.

Ndërsa këshilltari numër 1 i Shtëpisë së Bardhë Entoni Fauci paralajmëroi se hapja e plotë e ekonomisë do të shkaktojë viktima të panevojshme.

Në gjithë globin numërohen mbi 4.3 milionë të prekur dhe më shumë se 293 mijë viktima.

Tv Klan