Deklarata e Presidentit rus, Vladimir Putin, se zgjatimi i NATO-s në Europën lindore është një strategji shkatërruese që po promovon

“mosbesim

e tensione”,

ka ngjallur frikën e shpërthimit të konflikti masiv mes superfuqive të botës.

“Politika e SHBA dhe e disa vendeve Perëndimore në Ballkan, që kërkojnë të vendosin dominimin e tyre në rajon, ka qenë një faktor serioz destabilizimi. Për pasojë kjo do të rrisë mosbesimin dhe tensionin në Europë, në vend që të ndihmojë në stabilitet”,

tha Putin.

Në një shkrim të sajin, e përditshmja britanike “Express” kujton se disa shtete të Ballkanit po tentojnë të bëhen pjesë e NATO-s, apo e Bashkimit Europian, duke inatosur kështu Rusinë. Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina, kanë aplikuar për të qenë pjesë e BE. Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina kanë kërkuar të bëhen pjesë e NATO-s, një aleancë mbrojtjeje perëndimore.

E duke u ndalur tek kjo e fundit, Putin tha:

“Kemi thënë në mënyrë të vazhdueshme që e shohim zgjerimin e NATO-s si relikë të Luftës së Ftohtë, një strategji politiko-ushtarake e keqinformuar dhe shkatërruese”.

Presidenti rus i bëri deklaratat e tij në një intervistë për dy gazeta serbe. Ai pritet që të mbërrijnë në një vizitë zyrtare në Serbi të enjten. Kjo vizitë vjen në një kohë të tensionuar për Serbinë. Me mijëra persona protestojnë kundër presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili akuzohet për tendenca autoritare.

Putin i bëri gjithashtu thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të mos tërhiqej nga traktati për kontrollin e armëve bërthamore. Në Tetor, Presidenti amerikan njoftoi se Amerika do të tërhiqej nga marrëveshja ndërkombëtare, që Trump deklaroi se Rusia po e shkel, duke ngjallur kështu frikë për një konflikt të ri.

Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), i firmosur në vitin 1987, ndalon hedhjen e raketave balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, përfshirë ato që mund të mbajnë raketa bërthamore.

Trump pranoi që ta shtynte daljen nga traktati deri në mes të Shkurtit, pas presionit nga aleatët europianë.

“Pavarësisht se SHBA thotë se do të dalë nga INF, ne jemi të hapur për dialog. Në Dhjetor i dërguam disa propozime konkrete për këtë çështje”,

shtoi më tej Presidenti Putin

.

/tvklan.al