Frontex nis punën për patrullimin në kufirin shqiptar – TV KLAN

Frontex nis punën për patrullimin në kufirin shqiptar

Agjencia europiane për mbrojtjen e kufirit, Frontex ka nisur zyrtarisht punën për patrullimin në kufijtë e Shqipërisë së bashku me rojet kufitare shqiptare. Në ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, u theksua se kjo marrëveshje është e veçantë për shkak se është nënshkruar me një vend që nuk është ende anëtar i Bashkimit Europian, sikurse është Shqipëria.

Do të jenë 50 agjentë të Frontex nga 11 vende të BE-së që do të patrullojnë me rojet kufitare shqiptare për të luftuar emigracionin e parregullt dhe krimin e organizuar në kufi.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij theksoi se kjo marrëveshje nuk do të ishte finalizuar pa ndihmën e komisionerit europian Avramopoulos. Nga marrëveshja me Frontex, theksoi Kryeministri, do të jetë një përfitim i dyanshëm, teksa shtoi se ky fakt tregon angazhimin e Shqipërisë për të kontribuuar në përballimin e fluksit të migracionit të parregullt.

“Nisja e zbatimit të këtij projekti, një marrëveshje që e bën Shqipërinë të jetë vend i parë në Ballkanin Perëndimor që do monitorojë perimetrin e jashtëm bashkë me rreth 50 trupa të FRONTEX nga 11 vende anëtare, përbën një arsye për të qenë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është të kemi sukses në këtë projekt. Ky bashkëpunim në mbrojtjen e kufijve europianë e vendos Shqipërinë në një pozicion më të veçantë se sa deri më sot, qoftë në aspektin e dhënies seë kontributit të vet, qoftë dhe në aspektin e përfitimit të drejtpërdrejtë. Përfitimet janë disa, pasi marrëveshja i hap rrugë bashkëpunimit më të afërt përsa i përket shkëmbimit të informacionit, analizës së riskut dhe përballimit të flukseve migratore nga vende të treta.

Shqipëria është përballur me një rritje të flukseve të migracionit 6.7 herë më shumë në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017 dhe 26.5% më shumë këtë vit Janar-Prill krahasuar me një vit më parë. Ne nuk jemi një vend ku ata që vijnë shihen si rrezik apo problem, për arsye të traditës tonë dhe nuk jemi një vend ku janë dëgjuar ndonjëherë klithma për shkak të prurjeve nga vende të tjera, por jemi një vend që jo shumë larg në kohë ka strehuar gjysmë milioni refugjatë lufte, pa i kërkuar askujt asgjë. Dhe jemi këtu, jemi gjallë, jemi shumë më mirë seç ishim në atë kohë dhe kemi të shënuar në librin e historisë sonë një faqe për të cilën jemi të gjithë krenar. Ashtu sikundër jemi krenar dhe për një faqe tjetër kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë me më shumë hebrenj pas Luftës së II Botërore se sa para luftës. U bë vendi ku gjatë luftës hebbrenjtë migronin për t’u strehuar në Shqipëri.

Shqipëria u bë streha nga ku asnjë hebre nuk humbi jetën dhe asnjë hebre nuk ju dorëzua nazistëve. Mirëpo nga ana tjetër, ne jemi shumë të vetëdijshmë për faktin se jetojmë në një kohë kur duhet të japim kontributin tonë modestisht kundër migrimit të paligjshëm në territorin e BE. Na vjen mirë që emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve në vendet e BE vazhdon të bjerë dhe bazuar në raportin e vitit 2018 të KE dhe KiE shkruhet se në 2018 e kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 27% më pak shqiptarë se sa një vit më parë. Ndërsa kërkesat për azil janë ulur me 32% në gjysmën e parë të 2018″, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Komisioneri për migracionin në Bashkimin Europian, Dimitris Avramopoulos tha se marrëveshja me Shqipërinë është një burim krenarie për të dyja palët, dhe theksoi se pavarësisht patrullimit të Frontex në kufirin shqiptar, kjo nuk do të thotë shkelje sovraniteti e Republikës së Shqipërisë. Patrullimi i agjentëve të Frontex do të bëhet në bashkëpunim me agjencitë kufitare shqiptare.

“Sot jemi këtu për të celebruar një arritje, pra një etapë të re për Shqipërinë dhe BE. Kjo marrëveshje statusore që hyri në fuqi 3 javë më parë është e para dhe e vetmja e këtij lloji. Është operacioni i parë në botë me një vend jo shtet anëtar i BE-së. Sot do të nisim dhe do prezantojmë skuadrat e përbashkëta të rojës kufitare dhe bregdetare. Kjo jo vetëm shënon një fazë të re të bashkëpunimit kufitar, por është dhe një hap më tej përpara drejt operacionalizimit të agjencisë. Shqipëria është vendi  i parë në Ballkan me të cili BE po shkon përpara me këtë kapitull të rëndësishëm. Ky mund të jetë burim krenarie si për Shqipërinë ashtu dhe për BE. Teksa situata e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor mbetet stabël, është një fakt si nata me ditën krahasuar 3 vjet më parë. Por gjithsesi duhet të jemi vigjilentë. Lëvizja pa viza është arritje madhore ndaj duhet ta ruajmë si të tillë. Shqipëria mbetet përfundimisht përgjegjëse për ruajtjen e kufirit të saj. Asnjë pikë dyshimi sa i përket sovranitetit”, u shpreh eurokomisioneri Avramopoluos.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli me shifra sa i përket lëvizjeve migratore në kufi.

“Operacioni ka për qëllim primar rritjen e sigurisë së kufijve tanë por kontribuon edhe në zgjerimin e lirisë së lëvizjes së tyre. Liria e lëvizjes mbetet një ndër arritjet më të mëdha. Angazhimi në fazën e parë të operacioneve nga 22 Maji deri më 19 Qershor, shpreh rëndësinë e madhe që i kushtohet atij, rojet  e kufirit nga vendet e BE do të patrullojnë së bashku me rojet tona kufitare. Personeli i shtuar do të ndihmojë në vendosjen e standardeve të reja. Në harkun e 10 viteve të fundit, numri i personave që kanë lëvizur në pikat kufitare është rritur nga 9 milionë në vitin 2009 në 23 milionë në fundin e vitit 2018. Përveç flukseve në rritje të udhëtarëve të rregullt, është shënuar dhe rritje e numrit të migrantëve të parregullt që e përdorin Shqipërinë si vend tranzit për në vendet europiane. Ky numër në vitin 2018 është rritur mbi 6 herë krahasuar me vitin 2017”, deklaroi ministri Lleshaj. /tvklan.al

Kategori
PolitikaTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione