FrrokuDosja belge në ngarkim të deputetit Mark Frroku ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme. Një material prej 2 500 faqesh i është dërguar organit të akuzës për vrasjen e Aleksandër Kurtit, në mars të vitit 1999, për të cilën akuzohet deputeti i Shkodrës.

Dosja në Ministrinë e Drejtësisë është protokolluar 10 ditë me parë, ndërsa Prokurorisë së Përgjithshme i është dërguar mëngjesin e të premtes, pasi është përkthyer.

Sipas burimeve nga Prokuroria në dosje gjenden fakte dhe dëshmi të cilat implikojnë deputetin e Kuvendit të Shqipërisë në vrasje e 16 viteve më parë në stacionin e trenit, Gar dy Midi, në Bruksel.

Pasi ta ketë shqyrtuar materialin, Prokuroria pritet ta dërgojë atë në Gjykatën e Lartë, e cila pritet të nisë një tjetër proces për krimin e ndodhur në Belgjikë.

Gjykimi në Shqipëri do të jetë i pavarur nga Gjykimi në Apelin e Brukselit, që do të nisë në tetor të këtij viti.

Burime nga Ministria e Drejtësisë sqarojnë se nëse gjyqi në Belgjikë mbaron përpara gjykimi që pritet të nisë në Shiqpëri, vendimi belg do sillet në Shqipëri dhe Frroku do të vuajë dënimin në një burg shqiptar.

Aktualisht nuk ka një kërkesë për ekstradimin e Frrokut.

Organi qëndror i akuzës thotë se per dërgimin e dosjes në gjykatë do të respektohen afatet ligjore.

Kjo do të thotë që prokruoria duhet t’i mbylle hetime brenda tre muajve.

Në materialet e autoriteteve belge, thuhet se Aleksander Kurti u vra me 5 mars pasi i kishte thënë një prostitutë që shfrytëzohej nga grupi i Mark Frrokut se do t’u tregonte familjareve të saj mbi punën që ajo bënte në Bruksel.

Prostituta me inicialet L.S i kishte kërkuar vëllait të Mark Frrokut që ta zgjidhte këtë problem dhe i kishte lënë takim Aleksandër Kurtit në stacionin e trenit të Brukselit, ku ai priste të nisej për në Londër.

Në takim thuhet se shkoi Mark Frroku dhe tre persona të tjerë. Frroku përshkruhet nga disa dëshmitarë si personi që kishte dale nga stacioni i trenit me duart e lyera në gjak dhe me një thikë në dorë, që e kishte hedhur poshtë një kamioni të postës.

Deputeti Frroku ka mohuar që të ketë gisht në këtë vrasje. Ai tha në parlament se prindërit e tij e kishin sqaruar tek prindërit e viktimës këtë. Mirëpo nga të afërmit e Aleksandër Kurtit është thënë se ai kishte paguar disa burra për t’u betuar para tyre se nuk e kishte vrarë ai 25 – vjeçarin dhe se mbledhja e baballarëve kishte qenë një farsë, e cila s’ishte pranuar nga familja Kurti.

Tv Klan