Rënia e temperaturave dhe mosvaksinimi mund të konsiderohen si terren i favorshëm për përhapjen e fruthit edhe në vendin tonë. Sipas njoftimit nga Instituti i Shëndetit Publik, deri në datën 22 Janar të këtij viti, janë identifikuar 30 raste me fruth tek fëmijët nën 2 vjeç. Ky njoftim vjen pas lajmit të keq të foshnjes 4 muajshe që ndërroi jetë ditën e diel, në shërbimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Vogëlushja me iniciale A.A nga Manza e Durrësit humbi jetën si pasojë e komplikacioneve, pas diagnostikimit me fruth. Instituti i Shëndetit Publik iu bën thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre, sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit. Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit që nuk janë vaksinuar ndaj fruthit, apo që nuk kanë marrë dy doza të vaksinës, duhet të vaksinohen.

Për të folur për kujdesin që duhet të tregojmë kundrejt këtij infeksioni dhe masat për ta parandaluar ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Raida Petrela, mjeke infeksioniste pediatre në QSUT.

“Dimë që muajt e ftohtë janë më të predispozuar të përhapin virusin. Në muajin Janar janë paraqitur 30 raste me fruth dhe që janë shtruar në QSUT. Nuk ka patur raste të foshnjeve deri në 6 muaj. Fruthi është një sëmundje virale që ka një dekurs të vetin me një periudhë të fshehtë, një periudhë zhvillimi që nuk është shumë specifike dhe një periudhë zhvillimi të plotë kur shfaqen disa pulla të kuqe, që bëhen më të dukshme gjatë ditëve që fëmijët janë me temperaturë. Fëmijët mund të mbushen në fytyrë dhe në trup me to. Fillojnë fillimisht në fytyrë, më pas në trung dhe në pjesën e prapme të këmbëve dhe po kështu zhduken. Duke marrë parasysh se fruthi është një sëmundje ngjitëse, komuniteti i çerdheve dhe i kopshteve duhet të ketë kujdes dhe të marrë masa. Vaksina e fruthit bëhet në dy doza, e para bëhet pas vitit të parë të jetës dhe doza e dytë bëhet nga 4-6 vjeç. Theksoj se nuk duhet lënë pas doza e dytë, për të qenë të mbrojtur më mirë”

, tha mjekia Raida Petrela.

/tvklan.al