Emisioni “Opinion” u fokusua mbrëmjen e sotme te problemet e bujqësisë dhe fshatit, duke përballur dhe dy forcat kryesore politike me përfaqësuesit e tyre. Si është gjendja dhe perspektiva e bujqësisë shqiptare?  Për të diskutuar mbi këtë çështje ishin të ftuar në një përballje programesh elektorale Ministri i Bujqësisë Genc Ruli, deputeti i PD Sherefedin Shehu, deputeti i PS Ilir Beqja dhe Petrit Ago.  

“Bujqësia është ende një sektor i rëndësishëm i ekonomisë, por dhe më problematiku dhe sektori me potencialet më të mëdha.  Ka një trajektore të evoluimeve të veta në gjithë këto vite. Së pari, ne kemi 18% të prodhimit kombëtar, jemi vendi më agrar në krahasim me vendet e rajonit. Por ne kemi rreth 50% të popullatës të angazhuar për të prodhuar. Produktiviteti i bujqësisë është ende i ulët, por problematika është një problematikë që duhet parë historikisht. Ne kemi karakteristikën e fermës së vogël që prej shpërbërjes së kooperativave. Gjatë dekadës së fundit kanë ardhur trende pozitive në bujqësi. Ka filluar fenomeni i zmadhimit dhe specializimit të fermave, për të cilat  është rritur dhe aksesi me tregun, pra prodhimin e tyre e shesin”, u shpreh Ministri Ruli.  

Ndërsa Beqja thotë: “Unë jam më i përqëndruar për të parë se çfarë nuk është bërë këto 7 vjet, që fillon në radhë të parë nga konstatimi se ku jemi. Jemi në një situatë që ndryshe nga çfarë thotë zoti ministër, 2/3 e femrave nuk arrijnë të dalin në treg, mesatarja e të ardhurave që merr nga bujqësia dhe blegtoria një familje në fshat është 2 milionë e gjysmë lekë në vit. Kemi një situatë ku praktikisht vetëm 30% e tokës ujitet vazhdimisht, më shumë se 30% e tokës është e lënë në diell. Kemi rreth 200 mijë familje që e punojnë me krahë tokën. Rritja e këtij sektori nga viti në vit ka shumë luhatje, që tregon që nuk arrin të reflektojë politikat e qeverive këto 10 vjet. Ne kemi pozicion shumë të mirë gjeografik, tokë të mirë, klimë të mirë dhe reshje të bollshme. Në gjykimin tonë problemi kryesor është që ëeshtë e harruar nga qeverisja sepse fondet janë jashtëzakonisht minimale, institucionet nuk janë prezente, shërbimet publike nuk janë prezente dhe kemi një rritje të jashtëzakonshme të kostove në bujqësi”./tvklan.al