FSHF kërkon organizimin e një Europiani


FSHF kërkon organizimin e një Europiani

22:40 18/09/2023

Institucioni i futbollit ka aplikuar për organizimin e Euro U-17 dhe Euro U-19, UEFA vendos më 26 Shtator

Federata Shqiptare e Futbollit ka dorëzuar aplikimet për organizimin e Kampionatit Europian U-17 për vitet 2025, 2026 dhe 2027 dhe Kampionatit Europian U-19 për vitet 2026 dhe 2027. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të shqyrtojë në mbledhjen e datës 26 Shtator kandidaturat për organizimin e këtyre eventeve, ku në garë janë institucionet e futbollit nga shtete të rëndësishme europiane.

Federata Shqiptare ka ofruar stadiumet “Air Albania”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”, për të pritur ndeshjet e fazës së grupeve, ato gjysmëfinale dhe finalen e madhe. Gjithashtu për zhvillimin e një kompeticioni të të tilla përmasave, kërkohen 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në aksin Tiranë-Durrës, kjo edhe për shkak të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen.

Shqipëria është kualifikuar nga Komisioni i Tenderimit si një vend që i ka të gjitha aftësitë, kapacitetet dhe plotëson kriteret për organizimin e një Kampionati Europian për moshat e reja. Për kompeticionet që ka aplikuar federata e futbollit do të jenë pjesëmarrëse 8 skuadra, që do ta kthenin vendin për një muaj në qendër të lëvizjes futbollistike europiane.

Me marrjen e të drejtës së organizimit të eventi me kaq rëndësi, do të kryhen investime me rëndësi në infrastrukturën e stadiumeve dhe veçanërisht fushave stërvitore. Sigurimi i të drejtës për organizimin e një Kampionati Europian, futbolli do të ishte padiskutim aktiviteti dhe ngjarja më e madhe sportive e organizuar ndonjëherë në Shqipëri dhe rajon.

Klan News











Të ngjashme