Incidenti me të cilin nisi sezoni i Superligës, riktheu uniformat e policisë dhe forcat speciale brenda stadiumeve si nevojë për të shuar përplasjet e dhunëshme mes tifozëve të Skënderbeut dhe Partizanit. Federata Shqiptare e Futbollit, në një reagim të saj kërkoi që institucionet ligjvënëse dhe ligjzbatuese të reflektojnë mbi situatën.

Organizmi i futbollit në Shqipëri iu drejtua edhe zyrtarisht organeve të rendit. Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku këroi zbatimin e ligjit për sportin, sa i përket sigurisë në stadiume.

“Konform parashikimeve të nenit 51 të Ligjit “Për Sportin” ruajtja e rendit dhe e sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit, për këtë arsye do t`ju luteshim që në zbatim të kësaj dispozite, të angazhoheni për të garantuar sigurinë e ndeshjeve përmes prezencës së forcave të rendit në të gjitha impiantet sportive”.

Një ditë më parë në ndeshjen hapëse të sezonit të Superligës mes Skënderbeut dhe Partizanit, grupet e tifozëve të të dy skuadrave e kthyen stadiumin e Korçës në një arenë dhune. Ishte minuta e 72-të kur pas fyerjeve në distancë ata zbritën në fushën e lojës duke hedhur në drejtim të njëri-tjterit gurë dhe sende të tjera të forta. Nuk munguan edhe të lënduarit, ndërsa situata shtrëngoi gjyqtarin Eldorjan Hamiti të ndërpriste sfidën deri sa gjendja të qetësohej. Vetëm ndërhyrja e forcave të policisë që ishin jashtë stadiumit vendosi rregullin duke bërë të mundur që sfida të rifillojë.

Tv Klan