FSHF kërkon Superkupën e Europës në Tiranë

FSHF kërkon Superkupën e Europës në Tiranë

16:23 25/10/2019

Kërkesa për një nga finalet në 2022 dhe 2023

Këtë të shtunë, Federata Shqiptare e Futbollit do të dërgojë në UEFA dosjen me aplikimin për organizmin e Superkupës së Europës, së vitit 2022 dhe 2023. Me optimizmin e përfundimit të punimeve në Arenën Kombëtare dhe me pretendimin se ky impiant do të jetë një nga më modernet në rajon, Federata e sheh stadiumin si asetin kryesor, por për të plotësuar kërkesat e UEFA-s ka kërkuar bashkëpunimin nga shumë organizma shtetërorë dhe privatë.

Burime të Televizionit Klan thanë se në dosjen që do t’i dërgojë qeverisë europiane të futbollit, Federata ka raportuar se në qëllimin e saj për të pritur finalen e Superkupës, do të ketë mbështetje nga Ministria e Rendit, e Transportit, nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës, por edhe nga Ujësjellësi, OSHEE apo OST.

Garantohet kërkesa edhe e akomodimit të tifozëve që mund të vijnë më shumë se 7 mijë shtretër në hotelet e kryeqytetit. Por Tv Klan ka mësuar se FSHF ka hasur në një pengesë. Pritet një dokument nga kompania që ka në administrim Aeroportin e Rinasit që do të garantonte lehtësi, duke krijuar mundësinë e uljes së avionëve që do të transportojnë tifozët e huaj që do të ndjekin takimin në Arenën Kombëtare.

Mësohet gjithashtu se qeveria shqiptare ka garantuar se do të përfshihet në bisedime me autoritetet e Rinasit për të siguruar lehtësitë e kërkuara nga UEFA. Në vitin 2020, Superkupa do të luhet në stadiumin Dragao të Portos, ndërsa në 2021 në Windsor Park, në Belfast të Irlandës së Veriut.

Kjo është hera e tretë që Federata aplikon për finalen e Superkupës së Europës, por në dy rastet e kaluara ishte parë si mangësi ecuria e punimeve në Arenën Kombëtare që po shkon drejt përfundimit.

Tv Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi