Kryeqytetasit mohojnë akuzat për trukim

Federata Shqiptare e Futbollit nis hetimet për ndeshjen Bylis – Tirana pas polemikave për paracaktim rezultati.

Përballja e Kupës së Shqipërisë përfundoi me fitoren 2 – 1 me përmbysjen e mallakastriotëve, por paraqitja e bardhebluve në pjesën e dytë u shoqërua me akuza në ambientin sportiv. FSHF-ja thotë se po mbledh materiale ndërsa i ka kërkuar edhe kompanisë Sport Radar për të mësuar nëse ka pasur baste të dyshimta për këtë takim.

Në njoftimin e saj, federata shkruan se do te ketë vendimmarrje në rast se do të ketë prova. FSHF-ja kujton se është e prerë në rast se vërtetohen trukime dhe masat mund të jenë të rrepta, deri në përjashtim nga aktiviteti.

Më herët klubi i Tiranës reagoi zyrtarisht duke i hedhur poshtë të gjitha këto akuza. Bardheblutë thonë se do të ndjekin të gjithë procedurat ligjore mbi këtë sfidë dhe se janë të hapur për organet kompetente.

Në reagim shkruhet se këto tymnaja krijohen për të prishur harmoninë dhe pozitivitetin që mbizotëron në klub.

Tv Klan