Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas të gjitha gjasave, do të mblidhet javën e ardhshme për të shqyrtuar fatin e disa klubeve dhe të Superligës.

Gjithsesi, përpara mbledhjes së Komitetit, do të jetë një tjetër mbledhje e rëndësishme, ajo e Komisionit të Licencimit, që pritet të mbahet në 7 Gusht.

Atë ditë do të diskutohen dokumentet e klubeve për licencimin, dhe bëhet fjalë për 4 emra të njohur si Tirana, Vllaznia, Flamurtari e Luftëtari, që dorëzuan dokumentacionin deri në 31 Korrik.

Burime në Federatë deklaruan se klubet kanë probleme, dhe nuk dihet nëse do t’u jepet licencimi, por nuk treguan me hollësi gjendjen e secilit klub.

Besohet se më keq është Flamurtari që nuk ka bërë lëvizje, ndërsa Tirana mund të ketë pengesë të madhe detyrimin nga ish-presidentit Metush Seferi.

Po ashtu, pritet që Komiteti Ekzekutiv të merret me rastin e Skënderbeut, i cili ka marrë edhe një paralajmërim nga FIFA për të paguar gjobën prej 1 milionë eurosh, sipas dënimit të konfirmuar në KAS.

Klubi korçar deklaron se e ka dërguar çështjen në Gjykatën Federale të Zvicrës, por afati i lënë nga FIFA mësohet se përfundon përpara nisjes së sezonit, ndryshe do të ketë dënim me heqjen e 6 pikëve në renditje.

Do të mbetet apo jo Skënderbeu në Superligë?

Kjo nuk mund të thuhet me siguri, edhe pse gjasat janë që edhe mund të qendrojë. Kjo mund të anulonte planin për kthimin e Dinamos në Kategorinë Superiore.

Burime pranë klubit kryeqytetas bëjnë me dijë se ky ishte plani B, pra në rast se Skënderbeu rrëzohej, dhe parashikonte që të vinin lojtarë nga Korça tek Dinamo, të cilët do të vazhdonte t’i paguante presidenti Takaj, ndërsa lojtarët dinamovitë do t’i paguante familja Nuri. Me shumë mundësi, Komiteti Ekzekutiv i Federatës do të shtyjë kampionatin, pasi kanë mbetur më pak se 20 ditë deri në nisje të tij, problemet janë të shumta, dhe ende nuk është hedhur as shorti./ABC News Albania 24/7