Moti i keq ka bërë që të shtyhet nisja e Kategorisë së Parë dhe të Dytë të Futbollit në Shqipëri. Vendimi është bërë publik nga Federata Shqiptare e Futbollit pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv.

Ajo që ka bërë FSHF-në që të shtyjë nisjen e futbollit për kategoritë e ulëta në Shqipëri kanë qenë problematikat e mëdha që kanë paraqitur në infrastrukturë shumë skuadra.

“Vendimi qarkullues i KE-së i është komunikuar Sektorit të Garave në FSHF që menjëherë ka bërë njoftimin e klubeve të Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë për shtyrjen e javës së ardhshme të aktivitetit”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

FSHF sqaron se situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe klubet do të njoftohen në një moment të dytë në lidhje me rifillimin e aktivitetit./tvklan.al