Për herë të parë do të mbahen finalet e një turneu madhor për moshat, Duka: Ngjarja më e madhe sportive
Për herë të parë në Shqipëri do të organizohet një turne madhor ndërkombëtar për moshat.
UEFA ka vendosur t’i besojë FSHF-së pritjen e finaleve të Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17.
Ky është një tjetër sukses historik për institucionin e futbollit në vend.
Eventi që do të luhen në Shqipëri pas dy vjetësh.
Për presidentin e FSHF, Armand Duka, vendimi i UEFA-s është një lajm shumë i mirë për futbollin shqiptar.
“Padyshim duhet shumë punë për ta bërë sa më mirë organizimin e saj. Ne kemi dhënë, kemi marrë shumë garanci edhe për investime të përbashkëta me qeverinë shqiptare. Nuk janë vetëm ndeshjet, nuk janë vetëm kualifikueset deri në finale, por janë edhe përgatitjet e ekipeve, akomodimi i tyre, ambientet e stërvitjes që janë kërkesa që për momentin ne nuk i kemi, por jemi të bindur që do t’i plotësojmë deri në 2025. Kjo është ngjarja më e madhe sportive që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, është ngjarje më e madhe se Conference League, është ngjarja më e madhe e mundshme që ne mund të organizojmë me infrastrukturën, apo me një vend si ai i joni.”
Në këtë event do të marrin pjesë 16 përfaqësuese U-17 nga e gjithë Europa. Ndeshjet do të zhvillohen në katër stadiume shqiptare, ‘Air Albania’, ‘Loro Boriçi’, “Egnatia Arena” dhe ‘Elbasan Arena’.
Investimet në infrastrukturë me stadiumet e reja, që plotësojnë kriteret e duhura për turne ndërkombëtarë si dhe eksperienca e pasur e administratës së FSHF-së në mikpritjen dhe organizimin e turneve ndërkombëtarë ka bindur sërish UEFA-n të sjellë në vendin tonë një ngjarje madhore.
Klan News