Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që posedojnë armë zjarri, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas i shpallur në kërkim fshihej në ambientet e lokalit që kishte marrë me qira, në lagjen nr.14, Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pranvera”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

G. P., 33 vjeç, banues në Durrës, i dënuar në vitin 2016 për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje” dhe në vitin 2010 për veprën penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim”.

Shtetasi G. P. ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Shërbimet e Policisë, pas marrjes së informacionit se ky shtetas fshihej në ambientet e lokalit që kishte marrë me qira nga në lagjen nr. 14, Durrës, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku e kanë kapur dhe ndaluar shtetasin G. P.

Gjatë kontrollit në lokal u gjetën një armë zjarri pistoletë dhe 2 krehër me 15 fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./tvklan.al