Një hetim i nisur që në vitin 2017 është finalizuar me arrestimin e një 41-vjeçari. Policia sqaron se  hetimet kanë nisur pas kallëzimit nga një kompani shqiptare, pasi ishte mashtruar për blerjen e një pajisjeje nëpërmjet internetit.

Mësohet se pas këtij mashtrimi qëndron një i huaj me identitet të rremë, i cili kishte krijuar një kompani fiktive me emërtimin “EHExport-Import“, me qëllim mashtrimin e shtetasve në hapësirën virtuale duke shitur pajisje të cilat në realitet nuk i posedonte. 

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas ka përfituar një shumë të dokumentuar prej 426.577 euro, në 26 raste, por nuk përjashtohet fakti që ky shtetas të ketë përfituar më shumë duke qenë se e ka filluar aktivitetin kriminal që në vitin 2013 dhe ekzistojnë një sërë rastesh të padokumentuara“, sqaron Policia. 

Në pranga ka rënë A. T, 41 vjeç, lindur në Rumani dhe banues në Gjermani, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe në bashkëpunim me autoritet policore gjermane është bërë prangosja e këtij shtetasi, në Gjermani.

41-vjeçari ka përdorur rreth 11 identitete të rreme, por nuk përjashtohet fakti që ky shtetas të ketë përdorur më shumë identitete të cilat lidhen me rastet e tjera të padokumentuara./tvklan.al