“Jemi të përkushtuar për dialog, por duhet sekuencim i drejt i zbatimit të marrëveshjes bazë”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do t’i kthejë një përgjigje javën e ardhshme ftesës së përfaqësuesit të lartë të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian për një takim urgjent në Bruksel. Kjo u deklarua nga Kurti, pas nderimit që bëri te pllaka në Parkun e të Pagjeturve.

Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesë pikësh. Mirëpo, tani kemi një kërkesë që takimi të jetë javën e ardhshme. Njëherë u tha data 22, pastaj 23 dhe sërish data 22. Unë do ta diskutojë me ekipin tim dhe me siguri që do të japim një përgjigje në fillim të javës së ardhshme”, tha Kurti.

Kurti shprehu angazhim në dialogun me Serbinë, por tha se ajo që mungon është përcaktimi i qartë i hapave për zbatimin e plotë, pa vonesa dhe pa kushte të marrëveshjes bazë.

“Një sekuencim i cili do të ishte i balancuar dhe i drejtë, e që praktikisht është krejt i ndryshëm prej atij çfarë ne na u pat ofruar më 26 Prill. Pra, jemi të përkushtuar, jemi konstruktiv, por nuk mundet që çfarëdo sekuencimi të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10…. Unë e kuptoj që nenet 7 dhe 10 janë nene të marrëveshjes bazike dhe unë jam i interesuar t’i përfshij patjetër në sekuencim, por dedikimi atyre nuk mund të jetë me aso prioriteti dhe përmasa”.

Borrell tha se do të ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel në një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Situata në veri të Kosovës mbetet ende delikate, ndërsa tre policët e rrëmbyer nga forcat serbe u lanë në burg, pavarësisht thirrjeve edhe nga Shqipëria e ndërkombëtarët për t’i liruar.

Klan News