Ftesa e Kryeministrit, Paskal Milo: Rama tregohet skeptik në letër (Video) – TV KLAN

Ftesa e Kryeministrit, Paskal Milo: Rama tregohet skeptik në letër (Video)

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo thotë se Kryeministri Edi Rama është skeptik për zgjidhjen e krizës politike, duke iu referuar letrës që shefi i qeverisë i dërgoi sot kreut të opozitës Lulzim Basha.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Milo tha se Rama nuk beson që dialogu mes tij dhe Bashës, nëse do të ndodhë, do të zgjidhë këtë krizë që do të mundësojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit.

“Rama tregohet shumë skeptik me propozim që bën, e ç’vlerëson letrën kur ai s’ka besim. Pra hajde se po e bëj, por unë e di që s’do bëhet. Dialog pa kushte, Rama e ka në adresë të Partisë Demokratike dhe opozitës. Se vetë z.Rama nuk ka vënë asnjë kusht për të hyrë në dialog”.

Kurse përgjigjen e Bashës për letrën publike që i drejtoi Kryeministri, Paskal Milo e sheh si nismë pozitive për ta vazhduar deri në fund, atë të ndryshimeve kushtetuese.

“Përgjigjia e Bashës mua më duket një nismë e mirë nëse Basha dhe PD e kanë seriozisht sepse thelbi i krizës është pikërisht aty, tek sistemi. Nga viti 2008 me ndryshimet kushtetuese ajo na prodhoi jetë politike plot kriza. Nuk u nis për mirë. U nis me qëllime për të eliminuar pluralizmim politik në Shqipëri dhe për të bërë një sistem bipartizan. Dhe prishi sistemin nga pikëpamja e marrëdhënieve midis institucioneve. Mendoj që dialogu duhet të ketë në substancë si të ndryshojmë dhe të bëjmë një sistem të qëndrueshëm në Shqipëri dhe të krijojë ekuilibre të domosdoshme për një demokraci të qëndrueshme”.

Lidhur me deklaratat e sotme të Presidentit Meta për të thërritur një tryezë dialogu Rama-Basha, Paskal Milo theksoi se një gjë e tillë duhej të ishte bërë më parë dhe jo në këtë moment.

“Presidenti e ka angazhim moral që të bëjë ç’është e mundur për të mundësuar një tryezë. Presidenti duhej ta kishte ftuar tryezën më përpara dhe jo në momentin aktual, sepse aktualisht presidenti trajtohet si palë dhe kjo e bën të vështirë. Flitet për datën 30 Qershor që është dekretuar nga Presidenti sikur është detyrim kushtetues. Më duket që në Kushtetutë caktohet një në sa vjet do bëhen zgjedhjet por jo datën fikse me ditë. Presidenti Moisiu në vitin 2007 na thirri dhe aty u arrit kompromisi”. /tvklan.al

Kategori
PolitikaTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione