Autoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zbuluar shkakun e tragjedisë në Kolorado ku mbetën të vdekur 6 persona.

Zyrtarët e Kolorados thonë se personi i armatosur që vrau gjashtë vetë në një festë ditëlindje e kreu aktin pasi nuk ishte ftuar.

Policia thotë se Teodoro Macias, 28 vjeç, qëlloi për vdekje të dashurën e tij, Sandra Ibarra-Perez, 28 vjeç dhe pesë të afërm para se të vriste veten. Sulmi u zhvillua në Parkun Canterbury Mobile Home në Colorado Springs.

Policia thotë se personi i armatosur në Colorado Springs kishte një konflikt me familjen që nuk e kishte ftuar në ditëlindje si dhe për shkak të xhelozisë ndaj partneres së tij, e cila ishte pjesëtare në festë.

Sulmi erdhi më pak se dy muaj pas një të shtëne masive që la 11 të vdekur në një dyqan në qytetin Boulder të Kolorados në veri-qendrore.

Aktet të tilla kanë ndodhur shumë gjatë muajve të fundit , teksa Presidenti amerikan Joe Biden i ka bërë thirrje Kongresit që të nisë hartimin e një plani që parashikon forcimin e kontrollit të armëve.

Klan News