Kreu i PD refuzon bashkëpunimin që i propozoi kryeministri

Lulzim Basha refuzoi edhe një herë propozimin e kryeministrit Rama për bashkëpunim pas 25 Prillit duke iu thënë demokratëve të Tiranës, se “s’ka ndryshim pa larguar Edi Ramën”.

“Tani kërkon të behet pjesë e qeverisë me aleancën për ndryshim, përgjigja ime është jo, sepse siç e ka thënë dikur vetë kur ke pat 8 vjet, dhe se ke bërë punën, se arrin dot në 4 vitet e para. Rreziku më i madh për Shqipërinë është një mandat i tretë për Edi Ramën, ndaj të bëhemi të gjithë bashkë për ndryshim e vërtetë, s’ka ndryshim pa larguar Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij, s’mund të ketë bashkëqeverisje me atë që në 8 vite dështoi e tani kërkon 4 vite të tjera, kjo s’ka për të ndodhur.”

Premton t’i japë fund trazicionit, përfshi edhe atë në sektorin e fasonerisë, ku zotohet se në qeverinë e tij ky biznes do të rimëkëmbet, falë një reforme të thellë fiskale. Ndaj dhe si garanci shtesë, me shoqatën e bashkuar të fasonëve, Lulzim Basha firmosi një marrëveshje, duke u zotuar për uljen e taksave.

“Taksa e sheshtë 9%, kontributet 18, heqja e taksës Rama 240 lekë mbi karburantin, janë pjesë e paketës që do të prekë gjithë ekonominë shqiptare e në veçanti ju, por nuk do të mjaftohemi me këtë, marrëveshja përcakton qartë instrumentet që bashkë i kemi negociuar dhe që do të targetojnë, do të shenjtërojnë ndryshimin për këtë industri dhe për punonjësit tuaj.”
Objektiv kryesor tha se ka rritjen e pagës minimale.

“Paga minimale do të jetë 300 euro dhe në vitin e katërt të qeverisje tonë 400 euro. Pa rritur pagat ne nuk mund të avancojmë për të luftuar krizën ekonomike, për të rritur konsumin nuk mund të avancojmë është një nga elementët bazë të konvergjencës për të shkuar drejt Bashkimit Evropian.”
Në ndihmë fasonëve tha se do ti vijë edhe me grante të Bashkimit Europian, destinacion të cilin e sheh si ambicien e tij politike.

“Vetë procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të na japi mundësinë t’ju ndihmojmë edhe ju me skema grantesh, me lehtësime për eksportet tuaja pra janë dy procese që ecin ngushtësisht dhe të ndërthurur me njëri tjetrin por rritja e pagave unë jam shumë i vetëdijshëm se nuk mund të bëhet thjesht me një VKM.”

E që plani ekonomik i Partisë Demokratike të kthehet në realitet, Basha thotë se nevojitet vota për ndryshim e shqiptarëve në 25 prill. Të njëjtën thirrje drejtoi edhe nga Ndroqi ku vijoi fushatën elektorale. Basha u zotua se qeveria e tij do ti japë zgjidhje të menjëhershme procesit të rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.

“Do ta përshpejtojmë procesin, rindërtimi rimëkëmbja nga pandemia dhe ekonomia janë prioritetet tona”

Ndërkohë në takimet që pati në Vaqarr dhe në Pezë Helmes, Basha preku edhe çështjen e tokave për banoret e këtyre zonave.

Basha tha se pjesë e planit ekonomik është edhe biznesi i vogël, duke premtuar uljen e taksave dhe hapjen e vendeve te reja të punës.

Tv Klan