Pas ftesës që ministri i Jashtëm i Turqisë Çavusoglu i bëri homologut të tij grek Nikos Dendias për t’u takuar në Tiranë me qëllim nisjen e dialogut për mosmarrëveshjet mes tyre, ka reaguar edhe Greqia.

Athina nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke.

Alexandros Papaioannou tha për gazetarët grekë se deri më tani Ministria e Jashtme e Greqisë nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare nga Ministria e Jashtme turke për të nisur dialogun për ndarjen e zonave detare.

“Greqia ka shprehur gatishmërinë e saj në këtë aspekt në rast të një ftese nga pala turke”, shtoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke.

Më herët gjatë ditës së sotme, ministri turk Çavusoglu tha: “Ne kemi besim tek vetja dhe pas ftesës së Edi Ramës, unë jam gati të takohem me Nikos Dendias në Tiranë. Kjo është ftesë dhe shpresoj që Greqia nuk do ta refuzojë”. /tvklan.al