Shqipëria ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që këtë vit, kur këto dy vende si e gjithë bota u përballën me pandeminë e koronavirusit, të zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet verore.

Për këtë qëllim, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi bashkë me kryetarët e bashkive të Vlorës dhe Shën Gjinit, kanë qëndruar në Prishtinë, ku ka zhvilluar një takim me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi. U pajtuan që edhe sivjet të kenë një ofertë të përbashkët turistike.

“Në fillim të Korrikut do të bëjmë hapjen e sezonit së verës në Shqipëri. U dakorduam që në fund të Tetorit apo fillim të Nëntorit të bëjmë hapjen e sezonit dimëror në Kosovë”.

Ministri Klosi tha se në kohën e pandemisë të dyja vendet dëshmuan se sistemi shëndetësor mund të luftojë koronavirusin, ndërsa garantoi siguri shëndetësore për turistët derisa përmendi faktin se sivjet çmimet do të jenë më të ulëta.

“Jemi në kushte të mbijetesës dhe në kushte të një reduktimi shumë të madh të kërkesës. Pra do të kemi numër të reduktuar të vizitorëve dhe si e tillë nuk ka shansë të ketë rritje çmimesh, por do të kemi ulje të këtyre çmimeve”.

“Do të doja që të ripërsëris thirrjen time për të zgjedhur Vlorën si destinacionin turistik të të gjithë shqiptarëve”.

Ndonëse viteve të fundit është shtuar numri i turistëve të huaj në Shqipëri, megjithatë turistët nga Kosova vazhdojnë të kenë vendim e parë për nga numri që vizitojnë Shqipërinë.

Tv Klan